
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, pas përfundimit të procedurave ankimore.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike me 47% të votave, duke siguruar 53 mandate në Kuvend.
Sipas rezultateve përfundimtare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 19.44% të votave dhe do të përfaqësohet me 22 deputetë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar 16.69% të votave, duke siguruar 18 mandate.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 6.74% të votave dhe do të ketë 7 deputetë në Kuvend.
Nga subjektet e komuniteteve joshumicë, Lista Serbe ka siguruar 9 mandate, Partia Demokratike Turke e Kosovës 2 mandate, ndërsa partitë e tjera të komuniteteve do të përfaqësohen me nga një deputet.
Radoniqi sqaroi se subjektet politike kanë të drejtë të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda 48 orëve nga shpallja e rezultateve.
Nëse nuk do të ketë ankesa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vijojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare, proces që i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja të Kosovës.






