Komisioni Europian po përgatit një plan të ri që synon t’u japë vendeve kandidate përfitime konkrete ekonomike përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, si pjesë e një strategjie të re të quajtur “integrim gradual”.

Sipas propozimit, vendet që avancojnë me reformat do të mund të përfitojnë akses në programe financimi të BE-së, marrëveshje tregtare preferenciale dhe pjesërisht edhe në tregun e përbashkët europian, pa qenë ende anëtare të unionit.

Qëllimi i kësaj nisme është të mbajë vendet kandidate të angazhuara në procesin e reformave, duke u ofruar shpërblime konkrete edhe nëse anëtarësimi i plotë mbetet ende disa vite larg.

Ndryshe nga propozimet e mëparshme, të cilat parashikonin dhënien e disa të drejtave politike para përfundimit të procesit të anëtarësimit, modeli i ri fokusohet vetëm te përfitimet ekonomike dhe nuk ndryshon kushtet për pranimin në BE.

Plani ka fituar mbështetje politike, pasi Franca dhe Gjermania kanë shprehur më herët gatishmërinë për modele të ngjashme që lehtësojnë integrimin e vendeve me perspektivë europiane.

Sipas zyrtarëve europianë, çdo vend kandidat do të përfitojë në bazë të progresit të tij në zbatimin e reformave dhe përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian. Kjo do të thotë se sa më shumë reforma të realizohen, aq më i madh do të jetë edhe niveli i përfitimeve.

Komisioni Europian synon të marrë miratimin politik të vendeve anëtare për këtë nismë gjatë mbledhjeve të Këshillit Europian në tetor ose dhjetor.

Propozimi vjen në një kohë kur Bashkimi Europian kërkon të përshpejtojë procesin e zgjerimit, sidomos pas luftës në Ukrainë, por pa ulur standardet për anëtarësimin e vendeve të reja.

Aktualisht, Bashkimi Europian ka nëntë vende kandidate. Mali i Zi konsiderohet më pranë anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia kanë hapur negociatat. Ndërkohë, procesi për vende të tjera, si Serbia, Turqia dhe Gjeorgjia, ka ngecur.

Nëse miratohet, modeli i “integrimit gradual” mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si vendet kandidate, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, afrohen me Bashkimin Europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu