
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar zyrtarisht pas dyshimeve për helmimin e mbi 60 kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, duke bërë të ditur se janë kryer kontrolle të menjëhershme në subjektin që ofron shërbimin e kateringut dhe janë marrë masa paraprake deri në përfundimin e analizave laboratorike.
Sipas njoftimit të AKU-së, pas informacionit të marrë nga Akademia e Sigurisë, inspektorët kryen verifikime në kompaninë SORI-AL, e cila ofron shërbimin e ushqimit në Akademinë e Sigurisë dhe në Garnizonin “Skënderbej”, pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.
Kontrollet në Akademinë e Sigurisë konstatuan se aktiviteti zhvillohej në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe me dokumentacion të rregullt. Megjithatë, u morën 14 mostra ushqimore nga vaktet e drekës dhe darkës së datës 24 qershor, të cilat janë dërguar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) për analiza mikrobiologjike.
Në kuadër të hetimit të gjurmueshmërisë, AKU kreu inspektim edhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”, ku përgatiteshin ushqimet. Edhe aty u konstatuan kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe dokumentacion i plotë, ndërsa u morën 14 mostra të tjera ushqimore, si dhe pesë mostra tampon për kontrollin e higjienës së ambienteve dhe pajisjeve.
Si masë paraprake, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit të subjektit në adresën e Garnizonit “Skënderbej” deri në daljen e rezultateve të analizave laboratorike.
Gjatë kontrolleve kanë qenë të pranishme edhe institucione të tjera, mes tyre Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit në Tiranë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri të ditur se do të vijojë ndjekjen e rastit hap pas hapi dhe do të marrë masat e nevojshme në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore.






