
Ministrja në detyrë e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka hedhur poshtë pretendimet se Qeveria e Kosovës ka refuzuar gazin e lëngshëm amerikan (LNG), duke theksuar se strategjia energjetike e vendit është ndërtuar mbi burimet vendore dhe zgjidhjet më ekonomike.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rizvanolli deklaroi se Kosova nuk ka zgjedhur importin e energjisë nga vendet e rajonit në dëm të prodhimit vendas apo gazit amerikan, por ka vendosur të mbështetet te thëngjilli, energjia nga era dhe dielli, kogjenerimi për ngrohje qendrore dhe masat për efiçiencën e energjisë.
“Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët dhe bizneset tona. Me gazifikimin e qymyrit do të shtojmë kapacitete të reja me teknologji më të avancuar dhe më pak ndotje”, u shpreh ajo.
Rizvanolli sqaroi gjithashtu se Qeveria nuk është kundër importit të LNG-së nga Shtetet e Bashkuara, duke kujtuar se që në vitin 2022 Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në sektorin e energjisë.
Sipas saj, alternativa më praktike dhe më pak e kushtueshme është që gazi i lëngshëm amerikan të mbërrijë në terminalin e Vlorës, të prodhohet energji elektrike në termocentralin e qytetit dhe më pas ajo të transmetohet drejt Kosovës përmes linjës ekzistuese të interkoneksionit 400 kV.
“Në vend të ndërtimit të një gazsjellësi dhe infrastrukturës përcjellëse, që kërkon kohë dhe investime të mëdha, ne mund të importojmë LNG përmes Vlorës dhe ta transmetojmë energjinë pa asnjë investim shtesë”, tha ministrja.
Në fund, Rizvanolli mohoi edhe pretendimet se Kosova kishte refuzuar “gazin amerikan” apo një “gazsjellës amerikan” në vitin 2021, duke shtuar se për projektin e asaj periudhe do të japë sqarime të detajuara në një tjetër komunikim.






