
Dy tërmete të fuqishme kanë shkaktuar një katastrofë humanitare në Venezuelë, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet mes rrënojave për qindra persona të bllokuar. Bilanci i viktimave vazhdon të rritet, ndërsa lista e personave të raportuar si të zhdukur ka arritur në afro 50 mijë.
Sipas autoriteteve venezueliane, deri më tani janë konfirmuar të paktën 235 viktima, pas lëkundjeve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën vendin. Ndërkohë, një platformë e krijuar për të identifikuar personat e zhdukur ka regjistruar rreth 49.500 emra, ndërsa vlerësimet e Shërbimit Gjeologjik Amerikan paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të kalojë 10 mijë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar gjatë gjithë natës. Zjarrfikës, ushtarë, vullnetarë dhe qytetarë kanë gërmuar mes rrënojave, shpesh me duar dhe me ndihmën e elektrikëve dore, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Zona bregdetare e La Guaira, pranë Karakasit, është ndër më të goditurat. Qindra ndërtesa janë shembur ose kanë pësuar dëmtime të rënda, ndërsa shumë familje kanë mbetur pa strehë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se të paktën 250 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar, përfshirë tetë spitale, selinë e Kryqit të Kuq të Venezuelës dhe ambasadën franceze.
Ndihma ndërkombëtare ka nisur të mbërrijë në vend. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar dërgimin e ekipeve të specializuara të shpëtimit dhe mbështetje logjistike për aeroportin e dëmtuar të La Guairas. Po ashtu, ekipe nga Meksika dhe vende të tjera kanë mbërritur me qen kërkimi dhe pajisje për operacionet e emergjencës.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për një mobilizim masiv ndërkombëtar, duke theksuar se miliona venezuelianë kishin nevojë për ndihmë humanitare edhe përpara kësaj katastrofe natyrore.
Ndërkohë, kompania Starlink ka njoftuar se do të ofrojë internet falas deri më 25 korrik për banorët e zonave të prekura, në përpjekje për të rikthyer komunikimet dhe për të lehtësuar operacionet e shpëtimit.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje, ndërsa autoritetet druhen se bilanci i viktimave mund të rritet ndjeshëm në orët dhe ditët në vijim.






