
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference – URC 2026), ku liderë shtetesh, institucione financiare ndërkombëtare, përfaqësues të biznesit dhe të shoqërisë civile diskutuan mbi mbështetjen afatgjatë për Ukrainën dhe procesin e rindërtimit të vendit.
Në fjalën e tij gjatë sesionit të dytë plenar, Rama theksoi se rindërtimi i Ukrainës nuk mund të shtyhet deri në përfundimin e luftës.
“Nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tashmë tepër vonë,” u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, Ukraina po ndërton të ardhmen e saj në të njëjtën kohë që po mbron lirinë dhe sovranitetin, ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë këtë proces pa pritur fundin e konfliktit.
Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi gjithashtu se rindërtimi i Ukrainës dhe integrimi europian i Ballkanit Perëndimor janë procese që ecin paralelisht dhe forcojnë njëri-tjetrin.
Ai argumentoi se zgjerimi i Bashkimit Europian dhe mbështetja për Ukrainën janë pjesë e të njëjtit vizion strategjik për një Europë më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
Në përfundim të fjalës së tij, Rama theksoi se rindërtimi i Ukrainës nuk duhet parë si një akt bamirësie, por si një investim për të ardhmen e kontinentit.
“Rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme. Ukraina po rindërton guximin e Europës. Europa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës,” deklaroi Rama.






