Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestën që po zhvillohet në Tiranë, duke pretenduar se mes pjesëmarrësve ndodhen edhe persona me origjinë nga Irani.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se në bulevard nuk ka vetëm “patriotë të shtirur”, “aktivistë të shtirur”, “besimtarë të shtirur” dhe “diasporë të shtirur”, por edhe “turistë të shtirur”, të cilët sipas tij kanë ardhur për të ndikuar te protestuesit.

“Dëgjojeni deri në fund kush ka ardhur ‘turist’ për të shpëtuar Shqipërinë. Me një llaf s’kemi në bulevard vetëm patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur e deri diasporë të shtirur, po kemi edhe turistë të shtirur që kanë ardhur të lëpijnë dhe pickojnë vajzat e djemtë e sinqertë të protestës”, shkroi Rama.

Deklarata e kryeministrit vjen pasi më herët ai publikoi edhe fotografi të një prej pjesëmarrëseve në protestë, duke ngritur pretendime për lidhje të saj me ish-presidentin e Iranit.

Postimi i Ramës ka nxitur reagime dhe debat në rrjetet sociale, ndërsa protesta në Tiranë vijon edhe këtë të enjte me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe grupeve të ndryshme që kanë paraqitur kërkesat e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu