
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se vendimi për shpalljen e Ikballe Huduti Berishës “person i padëshiruar” në Republikën e Shqipërisë për 15 vjet është bazuar në informacione të shërbimeve të inteligjencës.
Në një intervistë për ABC News, Lamallari u shpreh se autoritetet kanë vlerësuar se veprimtaria e saj përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, ndërsa ndaj saj është lëshuar edhe urdhër dëbimi.
“Vendimmarrja është bazuar nga informacionet e inteligjencës. Është e duhur, në dobi të vendit tonë. Çdo informacion që ata kanë disponuar dhe që me kalimin e kohës konkludohet në faktin që veprimtaria e personit përbën kërcënim, çon në një vendimmarrje të tillë. Ka edhe një urdhër dëbimi. Nëse gjendet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, dëbohet nga vendi”, tha Lamallari.
Ministri shtoi se nuk mund të bëjë publike të gjitha informacionet për shkak të kufizimeve ligjore, por theksoi se institucionet e sigurisë kanë detyrimin të marrin masa parandaluese ndaj çdo personi që konsiderohet rrezik për sigurinë kombëtare.
Sipas Lamallarit, protesta që nisi si një reagim qytetar është shfrytëzuar më pas nga, sipas tij, “agjenda të huaja” që nuk e duan Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian.
“Policia e Shtetit ka detyrimin të administrojë çdo informacion për çdo person që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Garantojmë qytetarët, por nuk mund të lejojmë që kjo të abuzohet nga persona me aktivitet të dyshimtë. Kjo është puna e përditshme e shërbimeve informative dhe e strukturave të zbatimit të ligjit për të marrë masa parandaluese”, deklaroi ministri.






