TIRANË – Kryeministri Edi Rama paralajmëroi nisjen e programit kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, një paketë e re investimesh që sipas tij do të prekë transportin publik, ujësjellës-kanalizimet, parkimet, zonat ish-industriale, startup-et dhe infrastrukturën digjitale në të gjithë vendin.

Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, Rama deklaroi se programi i ri do të prezantohet zyrtarisht në fillim të korrikut dhe do të synojë adresimin e problematikave që ende nuk janë zgjidhur në nivel vendor. Sipas tij, prioritet do të jenë përfundimi i investimeve në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, modernizimi i transportit urban me autobusë elektrikë, krijimi i parqeve logjistike për bashkitë dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja të parkimit, veçanërisht në zonat turistike.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria do të ndërhyjë për pastrimin e qyteteve nga kabllot ajrore të amortizuara dhe pa funksion, duke synuar kalimin gradual të rrjeteve të komunikimeve elektronike nën tokë.

Por krahas prezantimit të projekteve të reja, Rama pati edhe kritika të drejtpërdrejta për disa drejtues vendorë. Ai tha se ka marrë ankesa të përsëritura nga komunitetet për kryebashkiakë që, sipas tij, largohen nga territori dhe kalojnë një pjesë të madhe të javës në Tiranë.

“Ka disa kryetarë bashkish që janë bërë problem për komunitetin, sepse nuk qëndrojnë gjatë gjithë javës pranë qytetarëve. Kjo praktikë duhet të marrë fund”, u shpreh Rama, duke paralajmëruar se nëse situata vazhdon, në të ardhmen do t’i identifikojë publikisht.

Në fokus të programit “Rilindja Urbane 2.0” do të jenë gjithashtu rikualifikimi i zonave ish-industriale, krijimi i muzeve të identiteteve lokale, zgjerimi i programit “Start Up Albania” në të gjithë vendin dhe mbështetja e kompanive të përbashkëta mes bashkive, fermerëve dhe sipërmarrësve lokalë.

Sipas Ramës, paketa e re synon të krijojë një fazë të re zhvillimi urban dhe ekonomik për bashkitë, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës dhe zhvillimit të turizmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu