
Jetmir Pepa, i njohur ndryshe si Mir Pepa ose me nofkën “Kazanova”, është arrestuar në Dubai dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë në ditët në vijim.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Pepa, i konsideruar si një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, është vënë në pranga në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa kanë nisur procedurat për kthimin e tij në vend.
Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi rrethanat e arrestimit apo zonën ku u lokalizua në Dubai, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera për operacionin.
Arrestimi i tij vjen vetëm pak ditë pas ekstradimit nga Dubai të gjashtë shtetasve të tjerë të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Mes tyre ndodheshin edhe Aleks Pepaj, vëllai i tij, si dhe Ilir Lazri, emra që sipas burimeve lidhen me të njëjtin grup kriminal.
Operacioni konsiderohet një tjetër goditje ndaj personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa pritet që pas mbërritjes në Shqipëri, Jetmir Pepa të përballet me akuzat për të cilat kërkohej nga autoritetet shqiptare.






