Braktisja e kafshëve shtëpiake vijon të mbetet një problem shqetësues, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur shumë pronarë zgjedhin të largohen për pushime dhe i lënë pas kafshët e tyre.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, çdo vit braktisen mbi 135 mijë qen dhe mace në Itali, ndërsa pasojat janë shpesh tragjike. Shumë prej tyre humbin jetën nga uria, sëmundjet, aksidentet rrugore apo keqtrajtimet.

Raste të rënda janë raportuar së fundmi në zonën e Çezenës. Një mace e vogël u gjet brenda një koshi mbeturinash dhe arriti të shpëtonte falë ndërhyrjes së një banoreje. Në një tjetër rast, katër kotele vetëm 20-ditëshe u gjetën të mbyllura në një thes plehrash dhe të hedhura në një kosh mbeturinash. Vetëm njëra prej tyre mbijetoi.

Përgjegjësja e strehës së maceve në Çezena, Francesca Falzaresi, deklaroi se situata është dramatike dhe se fenomeni vazhdon të përsëritet çdo verë, pavarësisht fushatave sensibilizuese dhe sterilizimeve.

Autoritetet italiane kujtojnë se braktisja e kafshëve është vepër penale dhe dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet, si dhe me gjoba që mund të arrijnë deri në 30 mijë euro. Dënimet bëhen edhe më të ashpra në rastet kur kafsha humbet jetën si pasojë e braktisjes.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve bëjnë thirrje për më shumë ndërgjegjësim, duke kujtuar se kafshët shtëpiake nuk janë objekte që mund të lihen pas gjatë pushimeve, por qenie të gjalla që varen plotësisht nga kujdesi i njeriut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu