Shërbimit Informativ Shtetëror do t’i shtohen kompetenca të reja në fushën e sigurisë kombëtare, duke përfshirë monitorimin e kërcënimeve kibernetike, sigurisë ekonomike dhe luftës hibride, sipas ndryshimeve të propozuara në ligjin për institucionin.

Projektligji, i miratuar në komisionin parlamentar përkatës, përcakton qartë se Shërbimi Informativ i Shtetit do të mbledhë informacion për kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, sulmet kibernetike, kërcënimet hibride dhe infrastrukturën kritike të vendit.

“Mbledh informacion për kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, kërcënimet kibernetike dhe kërcënimet hibride, me impakt në mjedisin e sigurisë së vendit”, thuhet në draft.

Ndryshimet u mbrojtën në komision nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila argumentoi se qëllimi i tyre është përshtatja e veprimtarisë së SHISH me sfidat moderne të sigurisë dhe standardet e partnerëve ndërkombëtarë.

“Paraqitjet e nevojshme që objekti i veprimtarisë së SHISH të jetë më i qartë dhe në përputhje me terminologjinë e standardeve bashkëkohore të sigurisë, si dhe me praktikat e partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi Ismaili.

Projektligji parashikon gjithashtu që emërtimi aktual “Shërbimi Informativ Kombëtar” të zëvendësohet me emrin “Shërbimi Informativ i Shtetit”, si pjesë e reformulimit të kuadrit ligjor të institucionit.

Debati në komision u fokusua edhe te deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me pretendimet për ndikime të huaja në protestat e fundit. Deputeti demokrat Igli Cara pyeti përfaqësuesit e SHISH nëse institucioni ndan të njëjtin qëndrim me kreun e qeverisë për një përfshirje të Iranit.

Drejtoresha juridike e SHISH, Amarta Dhima, refuzoi të komentojë çështjen, duke theksuar se diskutimi kishte karakter teknik dhe se përgjigje të tilla mund të jepen vetëm nga drejtuesi i institucionit gjatë raportimeve zyrtare në Kuvend.

Ndryshimet ligjore parashikojnë gjithashtu që emri “Shërbimi Informativ Kombëtar” të zëvendësohet zyrtarisht me “Shërbimi Informativ i Shtetit”.

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me kontrollin e pasurisë së punonjësve të SHISH. Sipas draftit, ata do të përjashtohen nga deklarimi publik i të ardhurave dhe pasurive, ndërsa verifikimi i tyre do të kryhet nga një strukturë e posaçme e brendshme e institucionit.

Sipas qeverisë, ndryshimet synojnë përafrimin e kuadrit ligjor me standardet moderne të sigurisë dhe praktikat e vendeve partnere.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu