
Ministrja e Arsimit, , u ka bërë thirrje maturantëve të respektojnë me rigorozitet rregullat e Maturës Shtetërore, në prag të provimit të fundit që zhvillohet nesër në të gjithë vendin.
Përmes një mesazhi publik, Kumbaro shprehu keqardhjen për 29 maturantë që janë përjashtuar gjatë tre provimeve të para për shkelje të rregullores, duke humbur mundësinë për të vijuar testimet dhe duke rrezikuar regjistrimin në universitet për vitin akademik të ardhshëm.
“Keqardhje për 29 maturantë që janë përjashtuar gjatë tre provimeve të para për shkelje të rregullores, duke humbur mundësinë për të vijuar provimet e Maturës Shtetërore dhe duke vënë në rrezik regjistrimin në universitet për këtë vit akademik”, deklaroi ministrja.
Ajo rikujtoi se telefonat celularë dhe çdo pajisje tjetër inteligjente janë të ndaluara në ambientet e provimit, ndërsa theksoi se respektimi i rregullave është i panegociueshëm.
Kumbaro u bëri thirrje maturantëve të ruajnë qetësinë dhe përqendrimin gjatë testimit, duke ndjekur udhëzimet e administratorëve për të arritur rezultatet më të mira.
Matura Shtetërore 2026 po administrohet në 144 qendra provimi në të gjithë vendin, me angazhimin e mbi 2 mijë mësuesve administratorë dhe 170 monitoruesve të Ministrisë së Arsimit. Provimi i lëndëve me zgjedhje do të mbyllë zyrtarisht procesin e testimeve kombëtare për këtë vit.






