
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të gjejnë sa më shpejt një marrëveshje për krijimin e një qeverie funksionale, duke paralajmëruar se zvarritja e procesit po dëmton rrugën evropiane të vendit.
Terras deklaroi se Kosova ka humbur një vit të tërë për shkak të situatës së vazhdueshme zgjedhore dhe fushatave politike, gjë që sipas tij ka ndikuar negativisht në proceset reformuese dhe integruese.
“Këshilla ime e parë është që sa më shpejt të jetë e mundur të gjendet rruga për të bërë një koalicion qeveritar i cili do të jetë në gjendje të veprojë shpejt dhe të nisë me reformat. Gjëja më e rëndësishme është që Kosova të ketë një qeveri funksionale”, u shpreh Terras.
Eurodeputeti estonez tha se të gjitha institucionet kryesore të Bashkimit Evropian kanë përcjellë të njëjtin mesazh gjatë vizitave në Kosovë: nevojën për një partner institucional me të cilin mund të avancohen proceset drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.
Terras theksoi se Kosova mbetet në një rrugë të mirë drejt Bashkimit Evropian, por pengesa kryesore mbetet fakti që pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Sipas tij, Komisioni Evropian duhet t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat pavarësisht qëndrimit të vendeve mosnjohëse, pasi kjo do të ishte një sinjal i fortë politik edhe për ato shtete.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Terras kritikoi mungesën e presionit ndaj Beogradit, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet të ushtrojë të njëjtin angazhim ndaj të dyja palëve për të çuar përpara procesin e normalizimit.






