
Qindra qytetarë iu bashkuan mbrëmjen e së shtunës protestës së radhës kundër qeverisë, e cila nisi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u zhvendos përpara Kryeministrisë.
Me thirrjet “Edi Rama jep dorëheqjen”, protestuesit marshuan drejt godinës së qeverisë, ku mbajtën fjalime dhe vijuan tubimin për disa orë. Organizatorët deklaruan se protesta do të vazhdojë edhe gjatë natës, ndërsa e cilësuan pjesëmarrjen si një nga më të mëdhatë të javëve të fundit.
Gjatë protestës u raportua edhe pjesëmarrja e shqiptarëve të diasporës, të cilët iu bashkuan tubimit në Tiranë. Në një moment, protestuesit ndezën blicat e telefonave duke krijuar një atmosferë simbolike përpara Kryeministrisë.
“Zyrtarisht Kryeministria është e rrethuar”, deklaruan organizatorët nga podiumi, duke theksuar se kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Kjo është dita e 21-të e protestave që po zhvillohen në kryeqytet, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e aksioneve qytetare edhe në ditët në vijim.






