Kryeministri Edi Rama ka sulmuar protestuesit që prej tri javësh protestojnë para Kryeministrisë, duke i akuzuar se po ndjekin një “ekonomi të vëmendjes” të nxitur nga rrjetet sociale dhe algoritmet.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se është krijuar një skemë për t’u dukur publikisht dhe për të grumbulluar sa më shumë ndjekës, duke e krahasuar këtë fenomen me efektin e drogës.

“Algoritmet nxisin njësoj si droga, që të shtojnë dozën e ‘like’-ve dhe ‘followers’-ave”, deklaroi ai.

Kryeministri ironizoi gjithashtu personazhe të ndryshëm që, sipas tij, nuk kanë pasur asnjëherë lidhje me politikën apo protestat, por i janë bashkuar lëvizjes për shkak të trendit në rrjetet sociale.

Rama tha se shumë njerëz kanë frikë të mbeten jashtë valës së vëmendjes publike dhe për këtë arsye kërkojnë të jenë pjesë e protestave, duke shtuar se në “ekonominë e vëmendjes” shpërblehet ai që krijon përmbajtjen më dramatike.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë foli edhe për manipulimin e përmbajtjeve në internet, duke përmendur raste kur pamje nga vende të tjera paraqiten si ngjarje të zhvilluara në Tiranë për të rritur ndikimin në rrjetet sociale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu