
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me hotelin “Zig-Zag” në Vuno, i sekuestruar nga SPAK në kuadër të hetimeve për pasuri të dyshuara se janë krijuar nga trafiku i drogës.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha tha se toka ku është ndërtuar hoteli ndodhet pranë, ose sipas dyshimeve të tij brenda territorit që pretendohet nga Edi Rama, Olsi Rama, e ndjera Aneta Rama dhe fisi Koleka. Sipas tij, investitori i regjistruar, Isa Aliu, nuk ka asnjë lidhje me Vunoin, ndërsa ngriti dyshime mbi origjinën e pronës.
“Është rasti i parë në histori kur ka blerës pa shitës. Ne nuk kemi mundur të gjejmë shitësit dhe as mënyrën se si ata e kanë përfituar tokën. Ky është shteti i mafias”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës akuzoi gjithashtu institucionet për manipulim të dokumentacionit kadastral. Sipas tij, një sipërfaqe e mbuluar me shkurre është regjistruar si “pemëtore”, duke krijuar mundësinë për përfitimin e pronësisë mbi tokën.
Berisha argumentoi se në Vuno ndarja e tokës sipas ligjit 7501 është bërë kryesisht për ullishtat, ndërsa kullotat dhe sipërfaqet e tjera nuk kanë qenë pronë private. Për këtë arsye, ai tha se regjistrimi i tokës ku është ndërtuar hoteli ngre dyshime serioze për ligjshmërinë e procedurave të ndjekura.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur SPAK po heton pasuri dhe investime të dyshuara se janë financuar nga aktiviteti kriminal, ndërsa çështja e pronave në bregdetin e jugut vijon të mbetet në qendër të debatit politik.






