Prokuroria e Sarandës ka goditur një skemë të dyshuar të tolerimit të ndërtimeve pa leje, duke lëshuar 12 masa sigurimi ndaj punonjësve të policisë, zyrtarëve vendorë dhe biznesmenëve të përfshirë në sektorin e ndërtimit.

Hetimi, i zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 304 të vitit 2026 dhe i drejtuar nga prokurorja Esmeranda Basho, ka evidentuar raste të dyshuara të shpërdorimit të detyrës, mosmarrjes së masave për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe ndërtimeve të paligjshme në territorin e Bashkisë Sarandë.

Sipas Prokurorisë, masat e sigurimit prekin punonjës të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, efektivë të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe përfaqësues të subjekteve private.

Deri tani janë ekzekutuar masat ndaj katër personave:

  • B.T., ish-shef i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, me masën “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • K.S., ndihmës specialist i policimit në komunitet, me masën “arrest në burg” për “Shpërdorim detyre”;
  • K.Sh., ndihmës specialist i policimit në komunitet, me masën “arrest në burg” për “Shpërdorim detyre”;
  • A.P., pronar i hotelit “Oasis”, me masën “arrest në burg” për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Organi i akuzës bën me dije se vijon puna për ekzekutimin e tetë masave të tjera të sigurisë të vendosura nga gjykata.

Sipas Prokurorisë së Sarandës, hetimet do të vazhdojnë për dokumentimin e plotë të veprave penale, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive për çdo zyrtar apo punonjës policie që dyshohet se ka lejuar ose favorizuar ndërtime të kundërligjshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu