
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumani, për standarde të dyfishta në trajtimin e dosjeve hetimore, duke pretenduar se në dosjen ndaj tij janë bërë publike të dhëna sensitive, ndërsa në çështje të tjera po fshihen emra zyrtarësh të lartë.
Gjatë një deklarate publike, Berisha tha se në dosjen e tij janë publikuar emrat e tre fëmijëve me autizëm, të cilët sipas tij përfitonin mbështetje financiare nga familjarët e tij përmes një qendre të drejtuar prej vitesh nga bashkëshortja e tij.
“Ka bërë publikë emrat e tre fëmijëve me autizëm. Asnjë nënë dhe asnjë baba nuk do të donte të shihte emrin e fëmijës së tij në media. Vajza dhe djali im sponsorizonin familjet e tyre në qendrën e autizmit që drejton bashkëshortja ime prej 20 vitesh pa asnjë shpërblim”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, SPAK e ka konsideruar këtë veprim si konflikt interesi, ndërsa në të njëjtën kohë, sipas pretendimeve të Berishës, po mbahen të fshehtë emrat e zyrtarëve të përmendur në dosjen e njohur si “Aruba”.
Berisha përmendi emrat e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, Olsi Rama dhe Damian Gjiknuri, duke pretenduar se ata janë përfshirë në materiale hetimore që, sipas tij, nuk po bëhen publike.
Kreu i PD-së e lidhi gjithashtu protestën qytetare me pakënaqësitë ndaj çështjeve që ai i cilësoi si mungesë transparence në hetimet për zonat e mbrojtura, inceneratorin e Tiranës dhe projekte të tjera publike.
“Qytetarët protestojnë sepse kërkojnë transparencë, kërkojnë të dinë çfarë ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës, me impiantin e ujërave të ndotura dhe me afera të tjera që, sipas tyre, nuk po hetohen siç duhet”, u shpreh Berisha.






