
Partia Socialiste ka reaguar për herë të parë pas deklaratave publike të deputetes Marjana Koçeku, e cila pretendoi se familja e saj është kërcënuar nga Bajrat e Shkodrës.
Çështja u diskutua gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, ku deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ngriti shqetësimin se kërcënimet ndaj një deputeteje përbëjnë alarm për sigurinë publike dhe shtetin ligjor.
“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, atëherë çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm?”, deklaroi Vokshi.
Përgjigjja erdhi nga kryetari i komisionit, Igli Hasani, i cili theksoi se çdo person që pretendon se është kërcënuar duhet t’u drejtohet institucioneve ligjzbatuese.
“Kushdo që ndihet i kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit. Nëse ka qoftë edhe një indicie, duhet ta denoncojë. Se kush zgjedh Instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare”, u shpreh Hasani.
Deklarata e tij konsiderohet reagimi i parë publik nga radhët e Partisë Socialiste lidhur me përplasjen e ditëve të fundit mes Marjana Koçekut dhe familjes Bajri.
Më herët, Koçeku publikoi një mesazh të ashpër në rrjetet sociale, ku paralajmëronte se do të reagonte ndaj çdo kërcënimi apo dëmtimi të familjarëve të saj, ndërsa Policia e Shkodrës ka bërë të ditur se deri tani nuk është depozituar asnjë kallëzim zyrtar lidhur me këto pretendime.






