Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve të angazhohen në mbështetje të protestës qytetare që po zhvillohet prej ditësh në vend, duke e cilësuar atë si një lëvizje të paprecedentë për nga përmasat dhe qëndrueshmëria.

Gjatë një takimi me Departamentin e Arsimit të PD-së, Berisha deklaroi se protesta ka lindur si reagim ndaj, sipas tij, shkeljes së të drejtave të qytetarëve, mungesës së transparencës dhe dëmtimit të mjedisit.

“Një protestë kaq e fuqishme, kaq masive dhe kaq e qëndrueshme nuk është parë kurrë në historinë e këtij vendi”, u shpreh kreu i opozitës.

Berisha akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për autoritarizëm, manipulim të proceseve zgjedhore dhe lidhje me krimin e organizuar, ndërsa e cilësoi kreun e qeverisë si “super-tradhtar”, duke e akuzuar për politika të dëmshme ndaj Shqipërisë dhe Kosovës.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, lideri demokrat ia kushtoi çështjeve mjedisore. Ai akuzoi qeverinë për dëmtimin e zonave të mbrojtura, duke përmendur Parkun e Dajtit, Shëngjergjin, Leskovikun dhe Butrintin si shembuj të ndërhyrjeve që, sipas tij, kanë cenuar pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit.

Berisha u ndal edhe te protestat aktuale, duke vlerësuar pjesëmarrjen e të rinjve dhe duke u bërë thirrje pedagogëve që të mbrojnë studentët nga çdo presion për shkak të angazhimit të tyre në tubime.

“Protesta është e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë. Nuk ka asnjë mundësi që Edi Rama t’i shpëtojë këtij zemërimi të përgjithshëm popullor”, deklaroi ai.

Në fund, kreu i PD-së kërkoi mobilizim më të madh qytetar, duke theksuar se protesta duhet të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave për largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu