Presidenti amerikan Donald Trump festoi 80-vjetorin e lindjes në një mënyrë të pazakontë, duke kombinuar diplomacinë ndërkombëtare, një darkë familjare në Shtëpinë e Bardhë dhe një event madhështor të UFC-së të organizuar në lëndinën jugore të rezidencës presidenciale.

Trump u bë presidenti i dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që mbush 80 vjeç gjatë mandatit në detyrë. Ditëlindja e tij përkoi me përpjekjet intensive për të finalizuar një marrëveshje paqeje mes SHBA-së dhe Iranit, e cila u vu në pikëpyetje pas sulmeve të reja izraelite në Bejrut.

Presidenti reagoi publikisht ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i konfliktit mund të rrezikojë arritjen e marrëveshjes.

“Kjo mund të jetë fillimi i një paqeje të gjatë dhe të bukur. Të mos e shkatërrojmë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Në ditën e tij të lindjes, Trump mori gjithashtu urime dhe telefonata nga liderë botërorë, mes tyre presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Pas angazhimeve politike, festa vijoi në Shtëpinë e Bardhë me një darkë familjare dhe më pas me eventin “UFC Freedom 250”, një spektakël luftarak i organizuar posaçërisht në ambientet presidenciale.

Për këtë rast, lëndina jugore e Shtëpisë së Bardhë u transformua në një arenë të përkohshme UFC-je, me mijëra vende për spektatorët dhe një kafaz luftimi të mbuluar nga një strukturë gjigante rreth 27 metra e lartë.

Trump, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me UFC-në dhe presidentin e saj Dana White, e ka promovuar prej muajsh këtë event, duke pritur sportistë të njohur në Zyrën Ovale dhe duke ekspozuar rripin kampion të UFC-së në tavolinën e tij.

Ditëlindja e 80-të e presidentit u zhvillua gjithashtu në mes të diskutimeve mbi gjendjen e tij shëndetësore. Mjekët e Shtëpisë së Bardhë kanë deklaruar se Trump mbetet plotësisht i aftë për të ushtruar detyrën e presidentit.

“Ndjehem njësoj si 50 vjet më parë”, ka deklaruar Trump në një aktivitet të zhvilluar muajin e kaluar në Uashington.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu