
Gjermania e nisi me spektakël Botërorin 2026, duke mposhtur 7-1 debutuesit e Curaçaos në ndeshjen e parë të Grupit E, në një sfidë ku gjashtë lojtarë të ndryshëm gjetën rrugën e rrjetës.
Katër herë kampionët e botës kaluan në avantazh që në minutën e 6-të me Felix Nmecha, i cili realizoi golin më të shpejtë të këtij Botërori deri tani.
Megjithatë, Curaçao shkroi historinë e vet në minutën e 21-të. Livano Comenencia shënoi golin e parë të vendit të tij në një Kupë Bote, duke barazuar përkohësisht rezultatin dhe duke surprizuar gjermanët.
Skuadra e Julian Nagelsmann reagoi shpejt. Nico Schlotterbeck riktheu avantazhin në minutën e 38-të, ndërsa Kai Havertz realizoi nga pika e bardhë në shtesën e pjesës së parë për ta dërguar rezultatin në 3-1.
Vetëm 69 sekonda pas rifillimit, Jamal Musiala shënoi golin e katërt dhe praktikisht mbylli çdo diskutim për fituesin.
Në vijim, Nathaniel Brown, Deniz Undav dhe sërish Kai Havertz vulosën triumfin e thellë 7-1 të “Panzerave”.
Pavarësisht humbjes së rëndë, Curaçao do ta mbajë mend këtë ndeshje për golin historik të Livano Comenencias, që shënoi rrjetën e parë të kombëtares së tij në historinë e Kupës së Botës.
Me këtë fitore bindëse, Gjermania dërgon menjëherë një mesazh të fortë për rivalët në Grupin E dhe konfirmon statusin si një prej pretendentëve kryesorë për trofeun e Botërorit 2026.






