Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestat, duke pretenduar se në tubimin e së shtunës morën pjesë rreth 200 mijë qytetarë që kërkuan largimin e kreut të qeverisë.

Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi protestën si më të madhën që ka njohur Tirana, ndërsa akuzoi Ramën se po injoron mesazhin e qytetarëve.

“Dje Tirana njohu protestën më të fuqishme në tërë ekzistencën e saj. Mbase 200 mijë qytetarë vërshuan në sheshet dhe rrugët e saj në kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së hodhi poshtë akuzat e kryeministrit ndaj protestuesve, duke thënë se pjesëmarrësit janë pjesë e një lëvizjeje qytetare kundër asaj që ai e cilësoi si “diktaturë autokratike”.

Berisha reagoi edhe ndaj deklaratave të Ramës se protestat po dëmtojnë turizmin, duke argumentuar se problemi kryesor për turizmin shqiptar është vetë qeverisja aktuale.

Ai theksoi se protestat do të vijojnë deri në arritjen e objektivit të tyre politik, largimin e qeverisë.

“Kjo protestë, kjo lëvizje nuk ka të ndalur. Do të realizojë plotësisht misionin e saj. Lëvizja do të fitojë”, u shpreh Berisha.

Deklaratat e liderit të opozitës vijnë vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama i cilësoi si të papranueshme presionet, kërcënimet dhe bullizmin ndaj qytetarëve me mendime ndryshe, duke i krahasuar ato me një “frymë fashiste” që, sipas tij, duhet ndalur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu