Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si një valë dhune verbale dhe intimidimi online ndaj personave që nuk mbështesin protestën e zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama ndaloi veçanërisht te sulmet ndaj këngëtarit Ylli Limani, pas koncertit të tij të fundit.

“Nuk e njoh Ylli Limanin. Nuk e dëgjoj muzikën e tij. Por dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij dhe kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm të tij, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë argumenton se protesta është një e drejtë demokratike që duhet respektuar, por sipas tij, kur ajo shoqërohet me kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe presion ndaj atyre që mendojnë ndryshe, rrezikon të kthehet në një formë intolerance politike dhe shoqërore.

Rama kritikoi gjithashtu thirrjet ndaj qytetarëve për t’iu bashkuar protestës, bllokimin e rrugëve dhe etiketimin e kundërshtarëve si “tradhtarë” apo “armiq të popullit”, duke paralajmëruar se histori të ngjashme kanë paraprirë lëvizje ekstremiste në vende të ndryshme.

Në reagimin e tij ai përmendi shembuj historikë nga Italia fashiste, Gjermania naziste dhe Greqia e organizatës Golden Dawn, për të argumentuar se demokracia dëmtohet kur argumenti zëvendësohet nga frikësimi dhe presioni i turmës.

Sipas Ramës, debati nuk duhet të jetë nëse dikush proteston apo jo, por respektimi i të drejtës së secilit për të pasur një mendim ndryshe pa u përballur me sulme apo kërcënime.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu