
Mijëra përdorues të Facebook dhe Instagram raportuan probleme me aksesin në platformat sociale gjatë mëngjesit të së premtes.
Sipas të dhënave të faqes së monitorimit Downdetector, pak para orës 10:00 në SHBA, mbi 10 mijë persona raportuan vështirësi në përdorimin e aplikacioneve Facebook, Instagram dhe Messenger. Në të njëjtën kohë nisën të shtoheshin raportimet edhe për WhatsApp, një tjetër platformë në pronësi të Meta-s.
Megjithëse përdoruesit raportuan ndërprerje të shumta, faqja zyrtare e statusit të Meta-s shfaqi probleme të konsiderueshme vetëm te Facebook Ads Manager.
Deri tani kompania nuk ka bërë të ditur shkakun e problemeve dhe nuk ka publikuar një reagim zyrtar për ndërprerjen e shërbimeve.
Raportimet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, ku përdoruesit nga vende të ndryshme konfirmuan vështirësi në ngarkimin e aplikacioneve, dërgimin e mesazheve dhe përdorimin e disa funksioneve të platformave.






