Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me aktivitetin e paralajmëruar në Vlorë, duke e cilësuar atë si një “antimiting” të organizuar kundër protestave qytetare për Zvërnecin.

Në një prononcim për mediat jashtë sallës së Kuvendit, Berisha deklaroi se Rama po përdor administratën për të ushtruar presion ndaj protestuesve dhe e krahasoi nismën me praktika të periudhës komuniste.

“Antimitingu i Ramës është njësoj siç bënte Ramiz Alia kur kërkonte të krijonte republikën e Vlorës. Është një akt i mirëfilltë stalinist, diktatorial dhe antidemokratik”, u shpreh Berisha.

Kreu demokrat tha se e ka denoncuar çështjen edhe në Kuvend, duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të aktivitetit.

“I bëra një denoncim të fuqishëm thirrjes për antimiting në Vlorë si një formë presioni ndaj protestave paqësore të qytetarëve. Kërkoj me urgjencë anulimin e tij”, deklaroi ai.

Berisha kundërshtoi argumentin e mazhorancës se bëhet fjalë për festimet e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.

“Nuk është e vërtetë se është festim. Dekoratat e turpit i ndanë pardje. Ju e patë se si bosët e krimit të PS-së në Vlorë dolën njëri pas tjetrit për të marrë dekoratat e partisë”, tha ai.

Sipas Berishës, aktiviteti po organizohet me pjesëmarrës të sjellë nga disa qytete të jugut.

“Ky antimiting që është thirrur me punonjës nga Lushnja deri në Sarandë ka vetëm një qëllim, të godasë protestat qytetare”, u shpreh kreu i PD-së.

Në përfundim, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Vlorës të mos i bashkohen aktivitetit.

“U bëj thirrje qytetarëve të Vlorës ta refuzojnë me përçmim këtë antimiting. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar do të kenë qëndrimet e tyre publike për këtë çështje”, deklaroi Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu