
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste nuk do të kërkojë lirinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilin e cilësoi si “të burgosur politik”, duke theksuar se prioritet mbetet mbështetja për reformën në drejtësi dhe ndërtimi i një Shqipërie europiane.
Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Pallatin e Kongreseve, Rama tha se PS nuk do të ndjekë rrugën e presionit ndaj institucioneve të drejtësisë, pavarësisht se arrestimi i Veliajt mund t’u duket i padrejtë socialistëve.
“Nuk jemi duke kërkuar lirinë për të burgosurin politik Erion Veliaj, sepse nuk është çështja jonë. Sado e dhimbshme dhe e padrejtë të na duket ne”, u shpreh Rama.
Kryeministri e lidhi këtë qëndrim me reformën në drejtësi, duke theksuar se politika duhet të pranojë koston e ndarjes së pushteteve dhe të mos ndërhyjë në proceset gjyqësore.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar mes së shkuarës dhe të ardhmes europiane, ndërsa sakrificat për konsolidimin e shtetit të së drejtës janë të domosdoshme.
“Jemi në udhëkryq, jo Partia Socialiste, por Shqipëria. Mes së shkuarës dhe të ardhmes. Mes Shqipërisë që kemi pasur dhe asaj që kemi misionin t’ua lëmë fëmijëve në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Ai kujtoi gjithashtu ish-kryeministrin Fatos Nano, duke e vlerësuar për mënyrën se si reagoi pas burgosjes së tij, pa nxitur përplasje politike apo presion ndaj institucioneve.
Rama theksoi se reforma në drejtësi mbetet sakrifica më e madhe që politika ka bërë në këto vite, pasi sipas tij politikanët kanë hequr dorë nga kontrolli mbi sistemin e drejtësisë dhe kanë pranuar rrezikun për t’u përballur me ligjin njësoj si çdo qytetar tjetër.






