Mijëra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së hënës në Tiranë në protestën e dytë radhazi kundër projektit turistik në Zvërnec dhe politikave që, sipas tyre, rrezikojnë zonat e mbrojtura të vendit.

Tubimi nisi pranë Ministrisë së Brendshme, ku protestuesit zhvilluan një aksion simbolik duke vendosur tela me gjemba, përpara se të marshonin drejt Kryeministrisë.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit hodhën parulla kundër qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në pankartat e mbajtura nga qytetarët lexohej “Shqipëria nuk është në shitje”, “Anulo projektin”, ndërsa nuk munguan as sloganet politike kundër klasës politike në tërësi.

Protestuesit akuzuan si mazhorancën ashtu edhe opozitën për situatën e krijuar në Zvërnec, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura.

Protesta vjen pas tensioneve të ditëve të fundit në Zvërnec, ku përplasjet mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private shkaktuan reagime të forta publike dhe debat politik.

Një ditë më parë, një tjetër marshim proteste kishte nisur nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, për të vijuar drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas para Kryeministrisë, ku qytetarët kërkuan transparencë për projektin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Organizatorët kanë paralajmëruar se kundërshtimi ndaj projektit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu