Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zgjodhi Beratin për të vijuar turin e 35-vjetorit të PS-së, ku bëri një bilanc të transformimit të vendit, mbrojti investimin në Zvërnec dhe u ndal te objektivi i integrimit europian të Shqipërisë.

Rama e cilësoi Beratin si një nga shembujt më domethënës të ndryshimit gjatë qeverisjes së socialistëve, duke kujtuar kohën kur infrastruktura e qytetit ishte problematike dhe socialistët, sipas tij, përballeshin me përndjekje politike. Ai tha se sot Berati është kthyer në një qark ku numri i personave që rikthehen është më i madh se ai i atyre që largohen.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua debatit për Zvërnecin. Kryeministri deklaroi se zona nuk është hequr nga mbrojtja dhe se mbetet peizazh i mbrojtur i kategorisë së pestë. Sipas tij, debati real nuk është biodiversiteti, por modeli i zhvillimit ekonomik që duhet të ndjekë Shqipëria.

Rama argumentoi se vendi duhet të kalojë nga turizmi masiv drejt turizmit cilësor dhe se investimi në Zvërnec do të ndikojë pozitivisht në bujqësi, blegtori, transport dhe në gjithë zinxhirin ekonomik të zonës. Ai theksoi se projekti prej rreth 4 miliardë eurosh po zhvillohet prej vitesh dhe se qeveria ka kërkuar standarde të larta mjedisore para miratimit përfundimtar.

Kryeministri mbrojti edhe bilancin e qeverisë në mbrojtjen e natyrës, duke kujtuar se shpallja e Parku Kombëtar i Vjosës ishte pjesë e programit të Partisë Socialiste dhe se sipërfaqja e zonave të mbrojtura është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Duke komentuar incidentin e dhunës ndaj një protestuesi në Zvërnec, Rama e cilësoi ngjarjen skandaloze, por theksoi se shteti reagoi me arrestimin e autorit, procedimin e personave të përfshirë, heqjen e licencës së kompanisë së sigurisë dhe shkarkimin e drejtuesit të Policisë së Vlorës.

Në fund të fjalës, kreu i qeverisë foli edhe për sulmet politike ndaj tij dhe Partisë Socialiste ndër vite. Ai deklaroi se nuk e ka tradhtuar kurrë besimin e socialistëve dhe se misioni i tij mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vazhdimi i transformimit të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu