
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mbrojti në Kuvend investimin e planifikuar në Zvërnec, duke e cilësuar atë si investimin më të madh në historinë e Shqipërisë dhe një projekt me rëndësi kombëtare për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Në fjalën e tij, Balla kundërshtoi pretendimet e opozitës se investimet e huaja kanë rënë, duke sjellë shifra krahasuese. Sipas tij, investimet e huaja direkte në vitin 2012 ishin 666 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 kanë arritur në 1.64 miliardë euro.
Deputeti socialist argumentoi se investimi prej 4 miliardë eurosh i kompanisë Power Holding në Zvërnec do të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë rritje ekonomike dhe se projekti duhet të realizohet.
Duke folur për debatin mbi aeroportin e Vlorës, Balla deklaroi se ai po ndërtohet në një zonë ku ka ekzistuar historikisht gjurma e aeroportit dhe se nuk ka pasur asnjëherë debat real për vendndodhjen e tij.
Një pjesë e fjalës iu kushtua edhe zhvillimit të transportit ajror. Balla tha se numri i pasagjerëve në Aeroportin e Tiranës është rritur nga 1.64 milionë në vitin 2012 në mbi 11 milionë në vitin 2025, duke e kthyer atë në aeroportin më të frekuentuar në Ballkan pas Athinës. Ai njoftoi gjithashtu nisjen e fluturimit të parë direkt Tiranë-Toronto dhe shprehu pritshmërinë për linja direkte edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sa i përket incidentit të dhunshëm gjatë protestës në Zvërnec, Balla e dënoi aktin, duke theksuar se autori është arrestuar dhe se licenca e kompanisë private të sigurisë është anuluar. Megjithatë, ai argumentoi se ky episod penal nuk duhet të përdoret për të delegjitimuar investimin.
Sipas tij, Power Holding është një kompani e verifikuar dhe e certifikuar, me burime financiare të deklaruara dhe të kontrolluara, ndërsa bashkëpunëtorët e saj gëzojnë reputacion të padiskutueshëm.
Në përfundim, Balla e cilësoi realizimin e investimit në Zvërnec si një sprovë të rëndësishme për Shqipërinë dhe pjesë të vizionit “Shqipëria 2030”, duke e lidhur atë me objektivin për ta kthyer vendin në një destinacion të nivelit të lartë turistik dhe anëtar të Bashkimit Europian. Ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike që ta mbështesin projektin, duke e konsideruar atë një interes kombëtar.
Fjala e plotë:
Megjithatw për publikun vlen që gënjeshtrës t’i përgjigjesh me shifra dhe me fakte. Por në parantezë, nuk mund të mos ta vlerësoj faktin e qëndrimin pro investimit. Pro investimit, një investim historik, më i madhi në historinë e Shqipërisë, për të cilin do të flas pak më poshtë, pasi të kem sqaruar publikun, jo zotërinë që iku për disa shifra që janë vërtet domethënëse.
U tha këtu që investimet e huaja kanë rënë, nga deputeti parafolës. Tani, investimet e huaja direkte, foreign direct investments, në vitin 2012 që mbahet dhe viti më i mirë dhe i fundit i plotë i juaji në pushtet z. Sali, ishin 666. 666 milionë euro. Në vitin 2025, se 2026-ta është më pak se në gjysmën e vet, shifra e investimeve të huaja direkte shkon 1.64 miliardë euro. Tani me matematikën e Lulit, mund të jetë 1.64 miliardë më e madhe se 666 milionë. Por me matematikën normale, 666-ta tek 1.64 hyn të paktën nja 2.5 herë.
Pra, investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me plot 2.5 herë nga koha kur zotëria që… urime edhe për zgjedhjen në krye të Partisë Demokratike, se ishte i garë e fortë, dhe nuk dihej kush fitonte, por pas kësaj gare kaq të fortë, të luftuar deri në minutën e fundit, deri në votën e fundit, fitoi z. Sali. Urime! Fitore të tilla u pafshim gjithmonë! Edhe i bashkohem edhe urimit të mikut tim, Peter Bayer, me të gjitha kuptimet që kishte brenda urimit të tij.
Ndërkohë, sa i përket GDP-së, prodhimit të brendshëm bruto, 2012-ta ishte diku poshtë 10 miliardëshit, 9.5 miliardë euro, ndërkohë në 2025-ën e kemi kaluar 27 miliardë euro, pra e kemi trefishuar ekonominë e Shqipërisë në një kohë kaq të shkurtër, asnjë vend tjetër në rajon jo, jo, nuk e ka trefishuar ekonominë e vendit në një kohë kaq të shkurtër.
2030-ën duam të shkojmë përtej 35 miliardë, dhe nuk ka asnjë dyshim se kontribut në këtë rritje historike të ekonomisë tonë do të jenë edhe 4 miliardë euro të investimit të Power Holding, gjigantit të ekonomisë së investimeve në sektorin turistik, në investimin që duhet dhe do të bëhet me patjetër në Zvërnec.
Tani meqenëse u tha diçka dhe për aeroportin e Vlorës në këtë parantezë tepër të gjatë, aeroporti i Vlorës është ndërtuar, po përfundon aty ku ka qenë gjurma e aeroportit të Vlorës prej 100 vitesh, dhe nuk ka pasur asnjëherë asnjë debat për vendndodhjen e aeroportit të Vlorës.
Numri i turistëve këtu pastaj, këtu pastaj na ndjeni se të qeshurën nuk e mbajmë dot, të paktën në këtë pjesë… se filloi këtu të belbëzonte, të keqcitonte dhe emrat e kompanive, unë i them 1000 herë faleminderit Wizz Air, Ryanair, EasyJet, edhe çdo kompanie tjetër low cost apo normale, sepse e kanë bërë aeroportin e Tiranës aeroportin më të frekuentuar në Ballkan me përjashtim të atij të Athinës. E shihnim me dylbi aeroportin e Beogradit në vitin 2012, e dini sa ishte numri i pasagjerëve në 2012-ën, ishte 1.64 milionë. Në rënie nga 2011-ta me 8% 2012-ta, sot në 2025-ën e mbyllëm përtej 11 milionë, dhe nuk ka asnjë dyshim me këtë trend rritje muaj për muaj me 10 deri në 15%, aeroporti i Tiranës shkon në 12 milionë. Mali i Zi, Maqedonia e veriut, Kosova jonë e dashur patjetër, po pse jo edhe qind të tjerë, e përdorin aeroportin e Tiranës si hub-in e komunikimit.
Dhe besoj dhe ju, ju ka ardhur ftesa sikur na ka ardhur edhe ne ftesa që në pak ditë duhet të jemi në Rinas ku për herë të parë inaugurohet dhe fluturimi i parë nga Shqipëria ndërkontinental nga Tirana në Toronto, dhe nga Toronto në Shqipëri ku diaspora jonë e Kanadasë do të ketë mundësinë të udhëtojë drejtpërdrejt, dhe shpresoj shumë nga Michigani pra nga Detroiti apo nga New York-u të kemi dhe fluturimin e Delta Airlines fluturim direkt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Shqipëri.
Në rikthim të një përgjigje të detyruar në vijim të atij komunikimi që pati sot kryeministri, nuk ka asnjë dyshim që ai akt dhune nga persona privatë me licencë të anuluar tashmë policie private ishte i dënueshëm, por asgjë tjetër përveç këtij fakti penal sepse personi që ka ushtruar dhunë me vendim gjykate tani më është në arrest, nuk asgjë tjetër nuk mund të ligjërojë gjithë këtë batare balte kundër një investimi e para i certifikuar, e dyta me vetting të plotë sepse është fakt që Power Holding kompania në fjalë është një kompani e cila çdo qindarkë të vetën e ka atë deklaruar, pa përfshirë këtu dhe faktin që bashkëpunëtorë me ta janë njerëz për të cilët nuk ka nevojë as të vihet në dyshim qimja e flokut.
Dhe në fund të kësaj mendoj që Kuvendi i Shqipërisë përtej ndonjë neomarksisti apo ndonjë tjetri që nuk heziton të shohë asnjë rast po thjesht dhe vetëm ta përdorë për debatin politik, besoj që ata që kanë eksperiencë politike ta shohin këtë rast si një rast edhe si një sprovë të madhe. Çuarja deri në fund e këtij investimi në Zvërnec është certifikimi i hapit përfundimtar të vizionit tonë Shqipëria 2030 anëtare e Bashkimit Europian por dhe anëtar i Ligës Kampioneve në Turizëm. Po po patjetër do bëhet dhe investim edhe ti ndiq rrugën të paktën për pjesën që ishte për investimin të paktën linja zyrtare e asaj që dëgjuam këtu…se ju s’keni faj ju keni 300 linja në parti dhe nuk merret vesh pari i dyti por ajo që po them është që është në interesin kombëtar të Shqipërisë që ai investim të bëhet mos harroni kurrë që siç është ajo puna e komshiut, komshiu gjithmonë e ka zili komshiun ndoshta jo i pari i shtëpisë komshiut po pjesë të tjera të shtëpisë edhe mos harroni kurrë që komshinjtë nuk janë apo konkurrentët tanë nuk janë shumë të gëzuar dhe nuk mund të jenë kurrsesi nuk do ishim ne të gëzuar nëse ai investim do shkonte në një vend tjetër personalisht nëse ai investim do shkonte në një vend tjetër do e përdorja foltoren e Kuvendit të kritikoja qeverinë time sepse ai investim se erdhi këtu por është gjë e mirë për Shqipërinë që ai investim po vjen në Shqipëri dhe pse jo ta mbështesim një deklaratë përbashkët të Kuvendit për ta mbështetur atë investim në Shqipëri, faleminderit.






