
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për shkelje të së drejtës së pronës, abuzime me projektet strategjike dhe dhunë ndaj protestuesve, gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbështet respektimin e plotë të pronës private dhe se në rastet kur ka konflikte apo padrejtësi, shteti duhet të dëmshpërblejë qytetarët sipas vlerës së tregut dhe të ndëshkojë përgjegjësit.
Duke folur për projektet e mëdha publike, ai akuzoi qeverinë se po tenton të marrë aksione në projektin e aeroportit të Vlorës për shkak të interesave financiare. Sipas tij, vendimet e gjykatave duhet të zbatohen dhe jo të anashkalohen përmes marrëveshjeve politike.
Një pjesë e fjalës iu kushtua edhe incidentit në protestën e Zvërnecit. Berisha e cilësoi të papranueshme dhunën ndaj protestuesit të ndaluar nga punonjësit e sigurisë private, duke pretenduar se qytetari është rrëmbyer dhe dhunuar në mënyrë të padrejtë.
Kreu i opozitës ngriti akuza të forta edhe ndaj projektit të aeroportit të Vlorës, të cilin e quajti “krimi më i shëmtuar mjedisor”, duke pretenduar se ndërtimi i tij ka dëmtuar habitatin e specieve të rralla të shpendëve. Ai tha se ekspertët kishin rekomanduar një tjetër vendndodhje, pranë Kthesës së Levanit, por sipas tij sugjerimet nuk u morën parasysh.
Në fjalën e tij, Berisha vuri në dyshim edhe statistikat e qeverisë për turizmin, duke akuzuar kryeministrin se fryn numrat e turistëve duke përfshirë në këtë kategori të gjithë pasagjerët që hyjnë në vend përmes linjave ajrore me kosto të ulët.
Në fund, ai akuzoi qeverinë për lidhje me interesa mafioze dhe iu drejtua kryeministrit me tone të ashpra politike, duke deklaruar se “katundi yt do të jetë qelia”.






