Kryeministri Edi Rama ka përdorur tone të forta ndaj atyre që, sipas tij, përhapin dezinformim lidhur me projektin në Zvërnec dhe pretendimet se Shqipëria po “shitet” tek të huajt.

Gjatë një reagimi publik, Rama i akuzoi përhapësit e këtyre pretendimeve se po helmojnë opinionin publik me shpifje dhe lajme të rreme.

“Vetëm myslimanë nuk janë, vetëm Allah dhe Kuran nuk kanë, sepse bëjnë çdo ditë krimin e ndaluar nga Kurani, për të helmuar njerëzit me shpifje”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se nuk mund të pranojë që të etiketohet si tradhtar apo shitës i interesave kombëtare, ndërsa ngriti pikëpyetje për mbështetjen që, sipas tij, po i jepet kauzës së protestuesve nga media greke.

“Si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes? Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë?”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë theksoi se akuzat ndaj tij janë të pabaza dhe se do të vazhdojë të mbrojë vizionin e tij për zhvillimin e vendit, pavarësisht kritikave dhe sulmeve politike.

Deklaratat e Ramës vijnë në kulmin e debatit publik për projektin turistik në Zvërnec dhe protestat e zhvilluara në zonë gjatë ditëve të fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu