Kryeministri ka reaguar për herë të parë pas incidenteve në protestën e Zvërnecit, ku aktivistë dhe banorë u përplasën me rojet private të kompanisë së sigurisë që ruante kantierin e projektit turistik në zonën e Pishë-Poros.

Gjatë një komunikimi me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama dënoi dhunën ndaj protestuesve, duke deklaruar se Policia e Shtetit duhej të kishte arrestuar menjëherë personat që tërhoqën zvarrë një qytetar gjatë protestës.

“Policia duhet t’i kishte arrestuar aty në vend ata që e morën zvarrë protestuesin”, u shpreh kryeministri.

Rama mbrojti projektin turistik në Zvërnec, të cilin e cilësoi si një investim prej 4 miliardë eurosh me rëndësi strategjike për turizmin shqiptar. Sipas tij, toka ku do të zhvillohet projekti është pronë private dhe nuk bëhet fjalë për falje të pronës shtetërore.

Kryeministri tha se projekti fillestar ishte refuzuar nga institucionet shqiptare dhe se investitorët janë detyruar të ridizenjojnë planin sipas kërkesave të qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse.

Ai theksoi se aktualisht nuk ekziston ende një projekt arkitektonik i miratuar dhe as një studim mjedisor përfundimtar, ndërsa shtoi se laguna e Nartës nuk do të preket dhe se marina e parashikuar në variantet e mëparshme është hequr nga projekti.

Në lidhje me statusin e zonës, Rama deklaroi se Pishë-Poro klasifikohet si “Peizazh i Mbrojtur” dhe jo si zonë me mbrojtje të plotë, duke argumentuar se legjislacioni lejon zhvillimin e kontrolluar në këtë kategori.

Kreu i qeverisë reagoi edhe ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke për incidentin në Zvërnec, duke theksuar se bëhej fjalë për një akt dhune nga roje private dhe jo për dhunë shtetërore.

“Nuk i shërben marrëdhënieve tona që të theksohet etnia e protestuesit për një incident të shkaktuar nga një grup rojesh private”, deklaroi Rama.

Ai akuzoi kundërshtarët e projektit për manipulim të opinionit publik dhe insistoi se investimi do të sjellë zhvillim ekonomik dhe do ta pozicionojë Shqipërinë mes destinacioneve elitare të turizmit në Mesdhe.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu