
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur reagimit të Ministrisë së Jashtme të Greqisë për incidentin e ndodhur në protestën e Zvërnecit, duke deklaruar se u habit nga përfshirja e Athinës zyrtare në këtë çështje.
Gjatë një komunikimi publik, Rama tha se nuk ishte në dijeni që zona e Zvërnecit konsiderohej si një territor me popullsi homogjene greke, ndërsa e cilësoi reagimin e Ministrisë së Jashtme greke si të tepruar në raport me natyrën e ngjarjes.
Sipas kryeministrit, incidenti i ndodhur gjatë protestës nuk përbën një akt dhune shtetërore, por një ngjarje të shkaktuar nga punonjës të një kompanie private sigurie, për të cilën autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme.
Rama theksoi se projekti turistik në Zvërnec po zhvillohet në prona private dhe se çështjet e pronësisë duhet të trajtohen në rrugë ligjore. Ai shtoi se shteti nuk është palë në marrëdhëniet mes investitorëve dhe pronarëve të tokës.
Kryeministri nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë mbeten të rëndësishme dhe se ngritja e debatit mbi baza etnike nuk i shërben bashkëpunimit mes dy vendeve.
Deklaratat e Ramës vijnë pas reagimit të Athinës, e cila kërkoi zbardhjen e plotë të incidenteve të ndodhura në protestën kundër projektit turistik në Zvërnec dhe respektimin e të drejtave pronësore të anëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek.






