
Një re e dendur tymi të zi ka mbuluar pjesën perëndimore të Elbasanit pranë zonës së ish-Kombinatit Metalurgjik, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe ndotje të konsiderueshme të ajrit.
Sipas informacioneve paraprake, persona ende të paidentifikuar kanë djegur goma dhe mbetje plastike buzë lumit Shkumbin, duke shkaktuar përhapjen e tymit toksik në një sipërfaqe të gjerë.
Banorët e zonës raportuan se tymi ishte i dukshëm nga disa kilometra larg, ndërsa era e rëndë e djegies u ndje në lagje të ndryshme të qytetit.
Ky nuk është rasti i parë i zjarreve të tilla në këtë zonë. Megjithëse incidente të ngjashme janë regjistruar edhe më herët, autorët e këtyre djegieve ende nuk janë identifikuar nga policia.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Ndërkohë, pritet që autoritetet përkatëse të hetojnë rastin dhe të identifikojnë personat përgjegjës për ndotjen e mjedisit dhe rrezikimin e shëndetit publik.
Banorët kërkojnë masa më të forta për të parandaluar përsëritjen e këtyre episodeve, të cilat prej vitesh mbeten një problem i vazhdueshëm për zonën e ish-Metalurgjikut.






