
Një propozim i ri i Komunës së Prishtinës ka hapur debat të fortë në Kosovë, pasi parashikon vendosjen e një takse prej 10 eurosh për automjetet që hyjnë në qendër të kryeqytetit nga komunat e tjera.
Nisma është përfshirë në draft-ndryshimet e Rregullores për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, të cilat janë publikuar për konsultim publik dhe pritet të procedohen për miratim pas datës 24 qershor.
Sipas draftit, çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të Prishtinës që hyn në zonat e përcaktuara nga komuna do të duhet të paguajë 10 euro për hyrje. Pagesa mund të realizohet në pika të autorizuara, përmes sistemit elektronik ose platformave të tjera të miratuara nga autoritetet lokale.
Nga kjo tarifë do të përjashtohen automjetet e emergjencave, policisë, zjarrfikësve, institucioneve publike në kryerje të detyrës, si dhe banorët rezidentë të Prishtinës.
Përveç taksës për automjetet, draft-rregullorja parashikon edhe një tarifë prej 1 euro për çdo natë akomodimi në kryeqytet. Taksa do të aplikohet për qytetarët e Kosovës dhe të huajt që qëndrojnë në hotele apo struktura të tjera akomoduese.
Dokumenti përfshin edhe ndryshime në tarifat për disa kategori biznesesh. Tregtarëve të produkteve farmaceutike dhe moteleve u propozohet rritje e taksës me 200 euro, ndërsa institucioneve mikrofinanciare ulje e saj nga 1000 në 500 euro.
Propozimi ka ngjallur reagime të forta. Qytetarë nga komuna të ndryshme e kanë cilësuar taksën si të padrejtë dhe diskriminuese.
“Është dënim për qytetarët. Njerëzit kanë mjaftueshëm shpenzime dhe nuk mund të paguajnë edhe 10 euro vetëm për të hyrë në Prishtinë”, u shpreh një qytetar nga Gjakova.
Edhe ekspertët kanë ngritur shqetësime. Analisti i Institutit GAP, Bekim Salihu, vlerësoi se masa mund të krijojë precedent të rrezikshëm nëse komunat e tjera vendosin të ndjekin të njëjtin model.
“Prishtina merr tashmë rreth 20 milionë euro në vit si kryeqytet. Kjo masë nuk e zhvillon qytetin, por kufizon qasjen e qytetarëve në të”, deklaroi ai.
Megjithatë, ka edhe qytetarë që e mbështesin propozimin, duke argumentuar se taksa mund të ndihmojë në uljen e trafikut të rënduar në kryeqytet dhe të nxisë përdorimin e transportit publik.
Ndryshimet do të qëndrojnë në konsultim publik deri më 24 qershor. Më pas ato duhet të miratohen nga Kuvendi Komunal i Prishtinës për të hyrë në fuqi.






