
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën gjatë fjalës së mbajtur në Dibër, duke e akuzuar si një forcë që historikisht ka sjellë përçarje dhe shkatërrim në vend.
Rama deklaroi se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë e orientuar drejt ndërtimit dhe interesit kombëtar, ndërsa kundërshtarët politikë, sipas tij, kanë vepruar në kahun e kundërt.
“Çfarë e ka karakterizuar PS-në: prirja për të ndërtuar dhe ka qenë gjithmonë e detyruar të përballet me forcën e shkatërrimit, forcën që kur ka pasur në dorë mundësinë të shkatërronte Shqipërinë e ka bërë, edhe kur i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve ka shkatërruar fasadën e Kryeministrisë dhe kazanët e plehrave”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se Partia Socialiste ka në thelb të saj interesin kombëtar, marrëdhënien e drejtë me të kaluarën dhe raportin qytetar me shoqërinë.
Ai akuzoi kundërshtarët politikë për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes ndër vite.
“Ata që PS ka pasur, por tani s’i ka më përballë se i ka mbrapa, ka qenë gjithmonë mishërimi i urrejtjes, i ndarjes së shqiptarëve këtej dhe andej, ndarja në demokratë dhe komunistë, njerëz të demokracisë dhe diktaturës. Një përçarje që u shtri deri në fshatin më të largët, kur ziheshin komshinjtë për partinë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se mazhoranca vijon të mbështesë reformën në drejtësi pa kushte dhe se nuk do të ndërhyjë në punën e institucioneve të drejtësisë, pavarësisht kostove politike që kjo mund të sjellë.






