
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Brukseli se Shqipëria ndodhet në një moment historik të procesit të integrimit europian, teksa nis faza përmbyllëse e negociatave me Bashkimin Europian.
Pak para nisjes së konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama tha se qeveria shqiptare ka punuar prej vitesh për të arritur në këtë etapë.
View this post on Instagram
“Është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, procesi i negociatave po hyn në një fazë të re, ku një pjesë e kapitujve do të mbyllen dhe pjesa tjetër do të hapet.
Rama foli edhe për debatin mbi zgjerimin e Bashkimit Europian dhe të drejtën e vetos, duke theksuar se Shqipëria ka qenë gjithmonë plotësisht në linjë me politikën e jashtme të BE-së.
“Ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se ai ka mbështetur prej kohësh zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian, por theksoi se ky proces duhet të bazohet në një “union realpolitik” dhe jo në anëtarësime të lehta.
Konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel lidhet me raportin e IBAR dhe nisjen e fazës së mbylljes së kapitujve negociues për Shqipërinë.
Ky takim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt objektivit për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027.






