
Një avion i EasyJet që po udhëtonte nga Hurghada e Egjiptit drejt Londrës u detyrua të devijonte dhe të ulej në Romë për shkak të një power banku të vendosur në bagazh.
Fluturimi EZY2618, i nisur drejt aeroportit Luton në Britani, ndryshoi kurs mbi Detin Adriatik pasi ekuipazhi u njoftua nga një pasagjer se karikuesi portativ ndodhej në pjesën e bagazheve të avionit.
Sipas kompanisë ajrore, kapiteni vendosi të devijonte fluturimin “në përputhje me rregullat e sigurisë”, pasi bateritë litium konsiderohen me rrezik të lartë për zjarr gjatë fluturimeve.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin Fiumicino të Romës, ndërsa pasagjerët kaluan natën në Itali dhe fluturimi u riplanifikua për ditën tjetër.
Autoritetet sqaruan se nuk pati problem teknik apo zjarr nga power banku, por rregulloret ndërkombëtare ndalojnë përdorimin apo karikimin e tyre në bagazhet e futur në pjesën e poshtme të avionit.
Sipas rregullave të EasyJet, power bankët lejohen vetëm në bagazhin e dorës dhe nuk duhet të përdoren për të karikuar pajisje të tjera gjatë fluturimit. Çdo pasagjer mund të mbajë maksimumi dy të tillë.
Edhe kompani të tjera si Ryanair dhe British Airways kanë vendosur kufizime të ngjashme për shkak të rrezikut që paraqesin bateritë litium-ion.
Sipas të dhënave të Autoritetit Britanik të Aviacionit Civil, gjatë vitit 2024 janë regjistruar mesatarisht dy incidente në javë në nivel global që lidhen me mbinxehjen apo zjarrin nga bateritë litium.






