Kryeministri Edi Rama, në podcastin “Flasim”, ka komentuar nga Tokio zhvillimet më të fundit të vizitës së tij në Japoni dhe Korenë e Jugut, si edhe avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Rama e cilësoi 26 majin si një moment historik për vendin, duke deklaruar se Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian do të vulosë mbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe nisjen e fazës përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE.

“Më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Kreu i qeverisë sulmoi ashpër opozitën, duke përdorur termin “molotovarët e Tiranës”, për të cilët tha se u përpoqën të dëmtonin imazhin e Shqipërisë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

“Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen dhe në fund humbën me turp, ndërsa Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari”, deklaroi Rama.

Në komunikimin e tij, kryeministri ndau edhe detaje nga vizitat në Korenë e Jugut dhe Japoni, ku u takua me drejtues politikë, kompani të mëdha dhe përfaqësues të universiteteve.

Sipas Ramës, Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një partner serioz dhe një destinacion potencial investimesh.

Në Tokio, Rama u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministrja japoneze Sanae Takaichi, ndërsa diskutimet u fokusuan te bashkëpunimi në ekonomi, teknologji, energji, mbrojtje dhe turizëm.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se Bashkimi Europian ka miratuar një tjetër mbështetje financiare për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“49 milionë euro të tjera e çojnë mbështetjen për Shqipërinë në 212 milionë euro, shifra më e lartë e përfituar nga vendet e rajonit”, u shpreh Rama.

Ai e cilësoi Shqipërinë “një histori suksesi” dhe u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë mbështetjen për projektin europian të vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu