
Vendet anëtare të Bashkimi Europian kanë ashpërsuar ndjeshëm gjuhën ndaj Shqipërisë në dokumentin final për ecurinë e negociatave, duke vendosur theksin te korrupsioni, mbrojtja e SPAK dhe funksionimi i institucioneve demokratike.
Dokumenti, i siguruar nga media dhe i dakordësuar mes vendeve anëtare në COELA, pritet të kalojë të premten në COREPER, ndërsa më 26 maj do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku vendi do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama.
Në variantin final të raportit, korrupsioni nuk cilësohet më thjesht “shqetësim serioz”, por “shqetësim thelbësor”, çka konsiderohet një sinjal i fortë politik nga Brukseli. Dokumenti vlerëson rezultatet e SPAK dhe gjykatave të posaçme në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, por paralajmëron se korrupsioni mbetet i përhapur në administratë, pushtetin vendor dhe sektorët kyç të ekonomisë.
Për herë të parë, SPAK përmendet specifikisht në një dokument të tillë të BE-së për Shqipërinë, ndërsa shprehet shqetësim për “sulme në rritje dhe shqetësuese”, përfshirë edhe në nivele të larta politike.
“Të adresojë përpjekjet në rritje dhe shqetësuese nga zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë ato në nivele të larta ndaj drejtësisë, duke përfshirë edhe Strukturën e Specializuar për Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në dokument.
Raporti evidenton edhe ndërhyrjet parlamentare në hetimet e SPAK-ut, duke kërkuar respektimin e vendimeve të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe standardeve të Komisionit të Venecias për imunitetin parlamentar, në një referencë indirekte për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Një tjetër element i ri në dokument është përmendja për herë të parë e “rrjeteve patronazhiste”, për të cilat BE kërkon uljen e ndikimit dhe garantimin e barazisë në zgjedhje.
“Shqipëria duhet të sigurojë kushte të barabarta loje në zgjedhje, të parandalojë keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe të ndikimit institucional, si dhe duke zvogëluar ndikimin e rrjeteve të patronazhit”, theksohet në raport.
Dokumenti shton gjithashtu kërkesa konkrete për:
- respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
- transparencën e ndërmarrjeve shtetërore;
- reformimin e policisë;
- mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve;
- trajtimin e problematikave të pronave dhe shpronësimeve në zonat bregdetare.
Sipas dokumentit final, vendet anëtare të BE-së kërkojnë tashmë jo vetëm reforma në letër, por rezultate konkrete në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.
Pas miratimit në COREPER, hapi i radhës do të jetë Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE më 26 maj, një etapë kyçe në avancimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.






