
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshëm kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe deputetët Flamur Noka, Edi Paloka dhe Luciano Boçi, në lidhje me akuzën për shpifje.
Vendimi u dha këtë të mërkurë nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila vendosi rrëzimin e padisë së ngritur nga avokatja Valentina Teodoresku.
Sipas njoftimit zyrtar, gjykata i deklaroi të pafajshëm të pandehurit për veprën penale të “shpifjes”, të kryer botërisht, të parashikuar në nenin 120, paragrafi 2 të Kodit Penal.
Teodoresku kishte depozituar kallëzimin penal në GJKKO më 26 qershor 2025, duke pretenduar se deklaratat publike të Berishës dhe deputetëve të PD-së e kishin identifikuar atë si patronazhiste dhe ish-hetuese të diktaturës komuniste.
Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të mbeten siç janë bërë.
Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga zbardhja e vendimit të arsyetuar.
Vendimi konsiderohet një tjetër përballje ligjore mes opozitës dhe figurave të përfshira në debatet politike të viteve të fundit.






