
Kosova po vazhdon transformimin e Forcës së Sigurisë në një ushtri moderne, paralelisht me përpjekjet për njohje të plotë ndërkombëtare. Kështu shkruan Bloomberg në një artikull të dedikuar forcimit të kapaciteteve ushtarake të Kosovës, ku intervistohet ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Sipas artikullit, Prishtina ka investuar rreth 1 miliard dollarë në ndërtimin e ushtrisë së saj, ndërsa deri tani ka siguruar sisteme armatimi me vlerë rreth 460 milionë euro.
Maqedonci deklaron se objektivi është krijimi i një force me 5 mijë ushtarë aktivë dhe mijëra rezervistë vullnetarë, ndërsa ushtria synon të pajiset me sisteme të mbrojtjes ajrore, artileri 155 mm dhe helikopterë ushtarakë “Sikorsky UH-60 Black Hawk”.
Bloomberg thekson se transformimi i FSK-së nisi tetë vite më parë me mbështetjen e SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë dhe Francës. Aktualisht, Kosova posedon disa lloje dronësh dhe sisteme kundërtanke, ndërsa po zgjeron bashkëpunimin ushtarak me vendet anëtare të NATO-s, sidomos me SHBA-në dhe Turqinë.
Një nga detajet simbolike të artikullit lidhet me ministrin Maqedonci, i cili në zyrën e tij mban tre uniforma: të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të forcës humanitare dhe të ministrit të mbrojtjes. Sipas Bloomberg, ato simbolizojnë rrugëtimin kompleks të Kosovës nga lufta drejt ndërtimit të një ushtrie shtetërore.
Megjithatë, ndërtimi i ushtrisë mbetet një çështje e ndjeshme politike për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm nga Serbia. Shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe, Milan Mojsilovic, citohet të ketë deklaruar se KFOR-i mbetet “formacioni i vetëm legjitim i armatosur” në Kosovë.
Artikulli mbyllet me vlerësimin e analistit të International Crisis Group, Marko Prelec, sipas të cilit prioritet mbetet arritja e një marrëveshjeje afatgjatë mes Kosovës dhe Serbisë.




