
Shqipëria ka nisur zyrtarisht procesin e identifikimit, mikrocipimit dhe pasaportizimit të qenve dhe maceve në nivel kombëtar, një hap që konsiderohet kyç për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve të shoqërimit njofton kreu i Urdhrit të Veterinerëve, Ervin Resuli.
Sipas autoriteteve veterinare, pasaportat dhe mikroçipet nuk janë vetëm një detyrim ligjor, por edhe një standard europian që ndihmon në rritjen e sigurisë së kafshëve dhe kontrollin më të mirë të tyre.
Një kafshë e identifikuar me mikroçip ka më shumë mundësi të rikthehet te pronari në rast humbjeje, mbrohet më mirë nga braktisja apo trafikimi i paligjshëm dhe ndihmon në krijimin e politikave më të sakta për vaksinimin dhe kontrollin e sëmundjeve.
Pasaporta e unifikuar kombëtare për qen dhe mace është modeli i vetëm zyrtar i miratuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Veterinerët theksojnë se ky proces rrit edhe përgjegjësinë e pronarëve ndaj kafshëve të tyre, duke përmirësuar standardet e kujdesit dhe sigurinë publike.
Për informacion dhe nisjen e procedurës, qytetarët mund të drejtohen pranë klinikave veterinare të licencuara në të gjithë vendin.






