
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj për “krim kushtetues”, lidhur me emërimin e “Diellës”, që u prezantua si ministrja e parë virtuale në botë e bazuar në inteligjencë artificiale.
Nga selia blu, Berisha publikoi atë që e quajti një investigim të ekspertit ndërkombëtar Patrick Quirk, sipas të cilit “Diella” nuk ka asnjë element real të inteligjencës artificiale dhe është “një avatar bosh”.
Sipas Berishës, “Diella” u përdor si një “bllof propagandistik” për të maskuar korrupsionin dhe për të krijuar imazh ndërkombëtar për qeverinë shqiptare.
“Diella nuk ka as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale. Zero! Është thjesht një avatar pa asnjë atribut funksional”, deklaroi ai.
Lideri demokrat tha se emërimi i saj si ministre përbën “përdhosje të Kushtetutës” dhe “turp ndërkombëtar”, ndërsa akuzoi qeverinë se ka mashtruar opinionin publik shqiptar dhe mediat ndërkombëtare.
Berisha pretendoi gjithashtu se projekti ishte menduar për të justifikuar shpenzime publike prej “disa milionë eurosh”, pa sjellë asnjë rezultat real në luftën kundër korrupsionit.



