
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në kuadër të dosjes së inceneratorit të Tiranës.
Megjithatë, vendimi nuk është ekzekutuar ende, pasi ish-ministri rezulton se ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë prej disa muajsh.
Apeli la në fuqi dënimin me 2 vite burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, të dhënë më herët nga Shkalla e Parë pas gjykimit të shkurtuar. Ndryshimi kryesor lidhet me masën e sigurisë, pasi gjykata ka rrëzuar vendimin për shuarjen e masës “arrest në burg”, duke e rikthyer atë në fuqi.
Sipas përllogaritjeve, Lefter Kokës i kanë mbetur për të vuajtur edhe rreth 6 muaj burgim.
Për shkak të largimit të tij nga vendi, autoritetet nuk kanë mundur ende të bëjnë arrestimin dhe ekzekutimin e vendimit të formës së prerë.






