
Modernizimi i ushtrisë shqiptare, industria ushtarake dhe mbrojtja kibernetike janë kthyer në prioritetet kryesore të qeverisë. Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi prezantoi planin strategjik të forcave të armatosura, duke zbuluar investimet në dronë, sistemet kundër-dronë dhe kantierin e ri ushtarak në Pashaliman, ndërsa paralajmëroi edhe tre stërvitje të përbashkëta me Kosova dhe Kroacia.
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi deklaroi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar si aleate e NATO-s, ndërsa modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet prioritet strategjik.
Në konferencën me gazetarët, ku ishin të pranishëm edhe Arben Kingji, Haki Çako dhe Ardi Veliu, Nufi theksoi se Shqipëria ka rreth 250 efektivë në misione ndërkombëtare të NATO-s, BE-së dhe OKB-së.
Sipas ministrit, investimet po fokusohen te mbrojtja ajrore, teknologjia e dronëve dhe kundër-dronëve, mbrojtja kibernetike, artileria dhe sistemet moderne të komunikimit.“Modernizimi i Forcave tona të Armatosura mbetet një nga prioritetet strategjike. Investimet janë përqendruar në kapacitete me ndikim të drejtpërdrejtë operacional, në përputhje me objektivat e NATO-s dhe nevojat e sigurisë kombëtare.”
Një tjetër fokus ishte industria ushtarake. Nufi vlerësoi marrëveshjen mes kompanisë shtetërore KAYO dhe kompanisë italiane Fincantieri për ndërtimin e një kantieri të ri detar në Pashaliman.
Sipas tij, projekti do të krijojë rreth 400 vende pune dhe do ta kthejë Shqipërinë në një bazë rajonale për prodhimin e mjeteve lundruese.“Ky partneritet hap rrugën për prodhimin në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, si për nevojat kombëtare ashtu edhe për tregjet ndërkombëtare.”
Ministri foli edhe për bashkëpunimin ushtarak me Kosovën dhe Kroacinë, duke bërë të ditur se do të zhvillohen tre stërvitje të përbashkëta, dy në Kroaci dhe një në Shqipëri.
Ai minimizoi rëndësinë e stërvitjes së përbashkët mes NATO-s dhe ushtrisë serbe, duke e cilësuar më shumë si “nxitje flake mediatike”.“Sot që flasim ka një stërvitje që zhvillohet mes NATO-s dhe ushtrisë serbe. Kjo është më shumë nxitje flake mediatike atje.”
Në konferencë u fol edhe për mbrojtjen kibernetike. Nufi deklaroi se Shqipëria mbetet objektiv i sulmeve të vazhdueshme kibernetike nga faktorë të lidhur me regjimin iranian, por shtoi se vendi ka investuar ndjeshëm pas sulmeve të vitit 2022.
“Shqipëria është target i sulmeve kibernetike çdo ditë. Bashkëpunimi me SHBA-në në komandën kibernetike është shumë i lartë.”
Në prag të sezonit veror, ministri prezantoi edhe masat për emergjencat civile, duke njoftuar rritjen e fondit të mbrojtjes civile nga 800 milionë lekë në 1 miliard lekë për vitin 2026.






