Taulant Balla deklaroi në Kuvend se Shqipëria ndodhet në një fazë të re dhe më dinamike të procesit të integrimit europian, duke theksuar se vendi ka kaluar “nga faza e aspiratës tek faza e realizimit”.

Gjatë diskutimit për rezolutën e integrimit europian, Balla tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi strategjik dhe kombëtar i Shqipërisë.

“Integrimi europian nuk është një slogan i bukur për raste solemne, por boshti ku duhet të rrotullohet veprimi ynë politik dhe institucional çdo ditë,” u shpreh ai.

Sipas Ballës, Shqipëria ka arritur të hapë 6 grupkapituj negociues brenda vetëm 13 muajve, një ritëm që ai e cilësoi rekord në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian.

“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një tregues i qartë se Shqipëria nuk po ecën me hapin e dëshirës, por me hapin e realizimit,” deklaroi ai.

Kreu i grupit socialist theksoi se progresi nuk lidhet vetëm me momentin gjeopolitik, por me “disiplinën institucionale” dhe koordinimin mes qeverisë, Kuvendit, pushtetit vendor, drejtësisë dhe shoqërisë civile.

Balla vlerësoi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, duke kërkuar rritje të kontrollit parlamentar dhe bashkëpunim më të madh me opozitën.

“Roli i opozitës është i pazëvendësueshëm,” tha ai, ndërsa kërkoi që reforma territoriale, reforma zgjedhore dhe ligji për financimin e partive politike të miratohen me konsensus brenda korrikut.

Ai bëri të ditur se gjatë viteve 2025-2026 janë miratuar 222 akte ligjore dhe nënligjore në funksion të integrimit europian, krahasuar me 82 në vitin 2024.

Balla përmendi gjithashtu progresin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore, duke përfshirë ligjet për sinjalizuesit, lobimin, konfliktin e interesit, barazinë gjinore dhe mbrojtjen e gazetarëve.

Në fund të fjalës së tij, ai theksoi se mbi 90% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Ky mandat qytetar kërkon një proces më të hapur dhe më gjithëpërfshirës. Sot nuk mjafton të themi se jemi pro Europës, por duhet të sillemi si një parlament europian,” përfundoi Balla.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu