
Taulant Balla ka deklaruar në Kuvend se rezoluta për procesin e integrimit europian është miratuar me konsensus të plotë në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, pas pesë orësh diskutime mes mazhorancës dhe opozitës.
Sipas Ballës, dokumenti i dakordësuar është ndër më të mirët që ka miratuar ndonjëherë komisioni parlamentar.
“Pa asnjë votë kundër, pa asnjë abstenim, të gjitha pro, kemi miratuar një dokument shumë të mirë. Ka brenda kritikën, ka angazhimin, ka syrin objektiv, por mbi të gjitha ka yllin orientues të Shqipërisë sonë të përbashkët, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian,” tha Balla.
Ai sqaroi se debati në Kuvend lidhet drejtpërdrejt me nenin 103/1 të rregullores, i cili parashikon që në përfundim të debatit të miratohet rezoluta.
Për këtë arsye, Balla kërkoi që fillimisht të prezantohet dokumenti i komisionit dhe më pas të vijojë debati parlamentar.
Kreu i grupit socialist falënderoi publikisht edhe përfaqësuesit e opozitës për bashkëpunimin gjatë diskutimeve.
“Dua të falënderoj zotin Haxhinasto dhe zonjën Vokshi nga ana e opozitës, zonjën Kuko dhe zotin Malaj nga ana e shumicës, kryetarin e komisionit, zotin Shehu, zotin Dule dhe të gjithë anëtarët. Këto 48 orë kanë qenë realisht punë intensive,” u shpreh ai.
Në fund, Balla apeloi që konsensusi i arritur në komision të mos prishet gjatë seancës plenare.
“Të mos ta prishim punën e mirë të komisionit dhe të shkojmë përpara me diskutimin,” deklaroi ai.






